Erdogan: Turqia tregoi se është një prej vendeve me kulturat më të avancuara demokratike

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se me zgjedhjet e së dielës, me pjesëmarrjen e lartë të votuesve, Turqia tregoi se është një nga vendet e botës me kulturat më të avancuara demokratike.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, Erdogan theksoi se respekton vullnetin e popullit të manifestuar në kutitë e votimit, raporton Anadolu.

Siç theksoi ai, aleanca e tij do të dalë fituese nga gara e 28 majit duke tërhequr edhe më shumë vota.

“Shpresojmë se do të arrijmë një sukses historik”, tha ai.

Presidenti Erdogan tha se populli turk konfirmoi “besimin në ne dhe në aleancën tonë”, duke i dhënë “Aleancës së Popullit” një shumicë në parlamentin turk në zgjedhjet e së dielës.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, duke njoftuar rezultatet e para jozyrtare, tha se në raundin e parë të votimit asnjë kandidat presidencial nuk arriti të kalonte pragun e kërkuar prej 50 për qind, me çka Erdogan, kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore dhe Kemal Kılıçdaroglu, kandidati i cili u radhit i dyti, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 28 maj.

Yener njoftoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e djeshme ishte 88,92 për qind, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve turq jashtë vendit ishte 52,69 për qind.

Ai po ashtu njoftoi se në zgjedhjet e djeshme Erdogan radhitet i pari duke fituar 49,51 për qind të votave, ndërsa Kılıçdaroglu fitoi 44,88 për qind të votave. Sinan Ogan nga Aleancës ATA mori 5,17 për qind, ndërsa Muharrem Ince, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në fund të javës së kaluar pasi fletëvotimet ishin shtypur, mori 0,44 për qind.

Miliona votues iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e vendit dhe 600 deputetët e parlamentit turk.

Më shumë se 64,1 milionë njerëz kishin të drejtë vote, duke përfshirë mbi 1,76 milionë që votuan jashtë vendit dhe 4,9 milionë persona që votuan për herë të parë.

Gjithsej 192.214 kuti votimi u vendosën për votuesit në vend.

Çdo votues kishte mundësi të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për 600 vendet e parlamentit, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.