Erdogan: Turqia do të vazhdojë kërkimet në Mesdhe


Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se zbulimi i madh i fundit i rezervave me gaz natyror në Detin e Zi është paralajmërim për zbulime ende më të mëdha të resurseve natyrore.

“Kemi tregues të fuqishëm se rezervat e zbuluara janë vetëm paralajmërim për një zbulim ende më të madh. Së shpejti shpresojmë në lajme të ngjashme edhe nga deti Mesdhe”, tha ai në fjalimin pas seancës së kabinetit qeveritar”, lajmëroi agjencia Anadolia.

Duke theksuar se Turqia mund të kthehet në njërin prej vendeve me rezerva më të mëdha të gazit, ai tha se Turqia ka bërë hapa të mëdha edhe në zhvillimin e energjisë solare dhe potenciale tjera për energji të rinovueshme.
“Zvogëlimi i çmimit të gazit natyror do të ketë ndikim plotësues pozitiv mbi buxhetin e njerëzve dhe zhvillimin e të gjithë sektorëve në periudhën e ardhshme”, tha Erdogan.
Turqia javën e kaluar kumtoi se ka gjetur rezervat më të mëdha të gazit natyror në Detin e Zi në historinë e saj.

Erdogan tha se bëhet fjalë për rezerva që i lavdëroi e gjithë bota, por që sipas tij, disa qarqe qëllimkeqe edhe më tutje negativisht e vlerësojnë ekonominë turke dhe qartë tregojnë prej ku marrin udhëzime. Duke e komentuar porosinë e navigacionit (Navteks), që e dha Greqia, Erdogan tha se bëhet fjalë për akt të pandershëm, që është kërcënim për sigurinë e të gjitha anijeve në rajon. Në porosi, Greqia paralajmëroi stërvitje ushtarake katërditëshe të forcave ajrore dhe detare në rajonin që përkon me zonën në Mesdheun lindor, në të cilën Turqia një ditë më parë paralajmëroi se i vazhdon aktivitetet e anijes hulumtuese “Oruç Reis” edhe për katër ditë plotësuese.

Në atë mënyrë Greqia mundohet t’i bllokojë të drejtat turke në eksplorimin e hidrokarbureve në atë pjesë të rajonit.
“Greqia është përgjegjësja e vetme për gjithçka negative që mund t’i ndodh rajonit dhe do të jetë e vetmja që do të durojë dëm”, tha Erdogan. Me qëndrimin e tij të tillë, shtoi Erdogan, që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, vullneti i mirë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, Greqia vetë do të futet në kaos nga i cili nuk ka dalje.