Erdogan sulm të ashpër ndaj Izraelit, tërheq ambasadorin. Blinken vizitë urgjente në Turq

Zhvillimet në tabelën diplomatike të shahut të Lindjes së Mesme janë të ethshme me Rexhep Tajip Erdogan që i hedh benzinë zjarrit duke synuar Izraelin dhe vetë Benjamin Netanjahun për bombardimet në Gaza. Madje Ankaraja po tërheq ambasadorin e saj në Izrael dhe sekretari amerikan Anthony Blinken, po e vendos në programin e tij vizitën në Turqi si një emergjencë pas turit të dytë në Lindjen e Mesme.

Blinken do të vizitojë Turqinë të dielën për dy ditë, përpara takimeve të tij me ministrat e jashtëm arabë në Aman të Jordanisë dhe vizitës së tij në Izrael. Të hënën, Blinken do të takohet me homologun e tij turk Hakan Fidan. Për momentin mbetet e paqartë nëse kreu i Departamentit të Shtetit do të takohet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, megjithëse zyrtarët që e shoqërojnë e konsiderojnë të mundshme një mundësi të tillë.

Në këtë vizitë Blinken thuhet se do të diskutojë rëndësinë e mbrojtjes së jetës civile në Izrael dhe Rripin e Gazës, lehtësimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Gaza dhe rifillimin e shërbimeve bazë atje. Ai do të diskutojë gjithashtu sigurinë euroatlantike, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe nevojën për të ruajtur unitetin e Aleancës së NATO-s, duke përfshirë ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Njoftimi vjen menjëherë pasi presidenti turk tha se: Benjamin Netanyahu nuk është më bashkëbiseduesi ynë, ne e kemi fshirë atë.” dhe më pas ka tërhequr ambasadorin e Turqisë në Izrael për konsultime, pa e hequr nga objektivi i tij dhe SHBA-së.