Erdogan pretendon se sanksionet “gati sa janë kthyer në gjueti shtrigash kundër popullit rus”


Për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të dy vendeve do të takohen dhe do të bisedojnë nesër në Turqi. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të “hapte derën për një armëpushim të përhershëm”.
Nuk është e qartë se cilat janë shanset për përparim, sepse presidenti rus, Vladimir Putin tha se dëshiron t’i arrijë qëllimet përmes negociatave ose veprimeve ushtarake.

Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të mbajë një qëndrim ndryshe nga vendet perëndimore kur bëhet fjalë për pushtimin rus, raporton hurriyet.
Edhe pse tha se është kundër agresionit ndaj ukrainasëve, sanksionet, siç theksoi ai, “pothuajse u kthyen në një gjueti shtrigash kundër popullit, letërsisë, studentëve dhe artistëve rus”.

Ai vuri në dukje shembullin e Filarmonisë së Munichut, e cila shkarkoi një dirigjent të njohur që mbështet Putin – Valery Gergiev, duke e quajtur atë “qesharake”.
Për refugjatët që ikin nga agresioni në Ukrainë, mes raporteve që disa refugjatë afrikanë dhe aziatikë janë frenuar, Erdogan deklaroi se një mentalitet që diskriminon të shtypurit bazuar në fenë, origjinën kombëtare ose ngjyrën e lëkurës së tyre nuk ka të bëjë fare me njerëzimin apo qytetërimin.