Erdogan: Nuk do ta pranoja Çmimin Nobel në rast se një ditë do të më jepej

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ai nuk do ta pranonte Çmimin Nobel për Paqe nëse një ditë do t’i ndahej atij.

Komentet e presidentit Erdoğan erdhën pas ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handke, shkrimtar austriak, i cili njihet si mbështetës i ish-udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç, i gjykuar për krime lufte.

Duke folur në një program të mbajtur me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut në Ankara, Erdoğan tha se Turqia gjithashtu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit.

“Shpërblimi i një vrasësi do të thotë bashkëveprim me zullumin”, deklaroi Erdoğan.

“Nobeli është konsumuar. Nobeli është në një pozitë që vepron politikisht, në mënyrë ideologjike. Nobeli nuk ka asnjë vlerë për mua”, shtoi ai.

Handke njihet si një admirues i madh i Millosheviçit, i cili vdiq në vitin 2006 në gjykatën ndërkombëtare në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.

“Ngrihuni në këmbë nëse i mbështesni serbët”, kishte shkruar Handke gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Ai po ashtu është mohues e gjenocidit serb gjatë luftës së Bosnjës.