Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka refuzuar idenë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për shkëmbimin e dy ushtarakëve grekë që po mbahen në burg në Turqi, me tetë ushtarakët turq që kanë kërkuar azil politik në Greqi që prej korrikut 2016.Tsipras ka deklaruar se është “i papranueshëm dhe refuzueshëm çdo referim për shkëmbim apo kompensim ndërmjet çështjes së dy ushtarakëve grekë dhe çështjeve të tjera”.
“Qëndrimi i Greqisë, por edhe i Bashkimit Europian në tërësi është i qartë dhe konstant për nevojën e kthimit të menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë, pa kushte të papranueshme”, shton Tsipras në deklaratën e vet.Por në deklaratat e veta presidenti Erdogan ka theksuar edhe qëndrimin e tij se nuk dëshiron rritjen e tensionit në detin Egje. Dhe kjo nga kryeministri grek konsiderohet si pozitive.
“Nga deklaratat e presidentit Erdogan mbajmë pjesën pozitive, kthesën në favor të paqes në detin Egje dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet të dy vendeve, për fusha të rëndësishme , mes të cilave edhe për sigurinë”.“Ndërkaq, presim që gjithë këto të duken në praktikë, me ndryshimin e sjelljes provokative të Turqisë në detin Egje”,nënvizon Tsipras në deklaratën e tij.
Në një intervistë që u transmetua njëkohësisht nga kanalet televizive turke, presidenti Erdogan u pyet edhe për marrëdhëniet me Greqinë, që kohët e fundit janë tensionuar së tepërmi.“Ne e shohim Greqinë si një fqinje. Edhe sikur të ketë disa probleme, ne duam t’i kapërcejmë. Të ulemi në tavolinë dhe t’i lëmë mbrapa. Kemi nevojë për paqe në botë. Aq më tepër që paqja jonë me Greqinë nuk ngjan me asnjë tjetër”, theksoi Erdogan.
Presidenti turk u shfaq i hapur të shqyrtojë lirimin e dy ushtarakëve grekë që po mbahen në burg prej më shumë se një muaji, në rast se Athina nga ana e vet, ekstradon tetë ushtarakët turq që kërkuan azil politik pas tentativës së dështuar për grusht shteti, në korrik 2016.
“Nga ne kërkojnë t’u japim dy ushtarakët grekë. Dhe ne u thamë se janë tetë ushtarakë turq që tentuan të bëjnë grusht shteti. Këta duhet të na jepni më përpara. Po të na i jepni këta, atëherë mund të vëmë në tavolinë të tjetër. Sepse ata shkelën kufirin”, tha Erdogan.