Presidenti turk Erdogan nga Laçi ku është i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të 522 banesave të ndërtuara nga Turqia për familjet e dëmtuara nga tërmeti, tha se dhimbja e shqiptarëve është e njëjtë edhe për vendin e tij.
“Dua t’ju përshëndes me dashuri dhe respekt. Ju kam sjellë këtu të gjithë dashurinë e miliona zemrave dhe përshëndetjet e përzemërta të popullit turk. Nga këtu nëpërmjet jush dua të përcjell përshëndetjet e popullit tim për mbarë Shqipërinë. Gëzimi i Shqipërisë është gëzimi ynë, dhe hidhërimi i Shqipërisë është njëkohësisht hidhërimi ynë. Mirëqenien dhe paqen tuaj e konsideroj të njëjtë si tonën. Duke qenë një popull i një vendi i cili ka përjetuar dhimbje të ngjashme shumë herë më përpara tërmetet e ndodhura në Shqipëri na lënduan zemrat tona njësoj si popullit shqiptar. Sapo morëm lajmin e hidhur menjëherë jemi vënë në lëvizje për të shëruar sadopak plagët e të lënduarve. Njësoj siç e tha miku im Rama në fjalën e tij, vëllai i qëndron pranë vëllait kur ai ka nevojë”, tha Erdogan.