Erdogan: Ekonomia islame është çelësi për daljen nga kriza

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan në një fjalim në video-konferencën e mbajtur në “Konferencën e 12-të Ndërkombëtare për Ekonominë dhe Financën Islame” tha se “Ekonomia islame është çelësi për daljen nga kriza”, transmeton Anadolu.

Erdogan tha se “Pavarësisht se kjo pandemi është më shumë për shëndetin, me rezultatet e saj ajo ndikon pothuajse në çdo fushë të jetës tonë”.

“Pandemia është shfaqur në një mënyrë të dhimbshme në këtë proces ku vetëm pasuria materiale nuk ka mjaftuar të sigurojë drejtësinë dhe barazinë sociale. Falënderojmë Allahun që si Turqi ndodhemi në mesin e vendeve që e kanë kapërcyer me më pak dëme këtë periudhë pandemie”, tha Erdogan.

Pasi vuri në dukje se asnjë njeri nuk është lënë pa mbështetje pavarësisht nga situata e të ardhurave, Erdogan tha se “Në këtë proces kemi vërejtur se edhe vendet me mirëqenie ekonomike kanë pasur vështirësi madje edhe në sigurimin e maskave për qytetarët e tyre. Ne krahas asaj që jemi përballur me nevojat për popullin tonë kemi dhënë ndihmë shëndetësore për 125 vende të botës”.