Erdogan e thotë përsëri: E përkrahim vendosmërisht Hamasin, Netanyahu po e shkruan emrin pranë Hitlerit, Stalinit e Musolinit

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se Ankaraja e “përkrah vendosmërisht” Hamasin, ndërsa kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka krahasuar me Hitlerin, Stalinin dhe Musolinin.

“Askush nuk mund të na bëjë ne që ta kualifikojmë Hamasin si organizatë terroriste. Turqia është shtet që flet haptazi me udhëheqësit e Hamasit dhe i përkrah vendosmërisht ata” – deklaroi presidenti turk, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Më tutje, ai e krahasoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me ish-udhëheqësit famëkëqinj të Gjermanisë, Bashkimit Sovjetik e Italisë – Adolf Hitler, Jozef Stalin dhe Benito Mussolini.

“Netanyahu dhe administrata e tij, me krimet e tyre kundër njerëzimit në Gaza, po i shkruajnë emrat e tyre pranë Hitlerit, Musolinit e Stalinit, si nazistë të së sotmes” – shtoi Erdogani në një fjalim në Stamboll.

Erdogani ka qenë njëri ndër kritikuesit më të ashpër të Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza, që nisi më 7 tetor pas një sulmi nga Hamasi në Izrael, ku u vranë rreth 1.200 njerëz e mbi 250 të tjerë u morën peng, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Më parë, presidenti turk e ka quajtur Izraelin “shtet terrorist” dhe e ka akuzuar për kryerje të “gjenocidit” në Gaza.