Erdogan: Do ta bëjmë Turqinë një nga 10 ekonomitë më të mëdha në botë


Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), Turqia vazhdon të ndërtojë projekte të rëndësishme të infrastrukturës.
“Përderisa planifikojmë dhe realizojmë investimet tona, ne gjithmonë kemi parasysh popullin tonë. Duke menduar për atë që i duhet popullit dhe shtetit tonë, ne kemi zbatuar shumë projekte” tha Erdogan në një video-konferencë në ceremoninë e hapjes së tunelit Kızılcahamam-Çerkeş.

Ai theksoi se rrugët që u ndërtuan në vitet e mëparshme, nuk janë vetëm për transportin e njerëzve dhe mallrave, por është gjithashtu një çështje e së ardhmes.
“Përdorimi i shtuar i mjeteve të transportit, nga aeroportet tona deri te trenat me shpejtësi të lartë, është sigurisht rezultat i zgjerimit të rrjetit tonë transportues. Falë rrjeteve transportuese, të cilat plotësojnë njëra-tjetrën, ne shikojmë në të ardhmen me shumë më shumë besim në drejtim të zhvillimit dhe infrastrukturës ekonomike”, tha Erdoğan.

Ai vuri në dukje se transporti i lehtësuar i njerëzve dhe mallrave kontribuon më tej në përparimin e përgjithshëm, zhvillimin dhe rritjen e secilës pjesë të Turqisë.
“Në 18 vitet e fundit, ne kemi qenë të angazhuar në të gjitha rrjetet transportuese, nga toka, ajri te hekurudha dhe deti. Ne kemi rritur gjatësinë e rrugëve tona të ndara në 28 mijë kilometra, duke mundësuar transport më të lehtë nga perëndimi në lindje dhe nga veriu në jug. Bukuritë tona historike dhe natyrore janë bërë sot destinacione të vërshuara me qindra mijëra dhe miliona vizitorë”, tha presidenti turk.

Ai theksoi se falë infrastrukturës së zhvilluar, vendi është rrugës për t’u bërë një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit dhe tregtisë në botë gjatë procesit të riformimit të rendit global, politik dhe ekonomik.
“Në të kaluarën, industria dhe tregtia ishin përqendruar vetëm në rajone dhe qytete të caktuara të vendit tonë. Sot ne kemi arritur një nivel të tillë që secili nga 81 qytetet tona mund të përfitojnë nga mundësitë që u ofrohen atyre, duke përfshirë lehtësinë e transportit dhe përfitimet e lëndëve të para dhe punës”, tha Erdoğan.

Ai vuri në dukje se autoritetet turke do të arrijnë të gjitha qëllimet e vendosura deri në vitin 2023 dhe se ata do ta bëjnë vendin një nga 10 ekonomitë më të mëdha në botë, duke shtuar se do të rrisin standardin e vendit në nivelin që meriton, duke vënë në dukje se ata janë duke investuar vazhdimisht në transport dhe shumë sfera tjera.
“Infrastruktura është një element i rëndësishëm i zhvillimit, nga transporti në energji. Por është gjithashtu e rëndësishme që kjo infrastrukturë të përdoret duke kontribuar në prodhimin e mëtejshëm, punësimin dhe rritjen”, tha Erdoğan.