Erdogan dhe Vuçiç takohen në Beograd: Paralajmërohet forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes dy shteteve

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është në një vizitë dyditore në Serbi, ku po zhvillon një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti serb deklaroi se ata kanë arritur një marrëveshje për marrëdhënie më të afërta në kuadër të industrisë ushtarake midis dy vendeve.

“Kemi zgjedhur ekspertë nga të dy vendet që kanë punuar në mënyrë të thellë, themelore dhe strategjike mbi këtë çështje,” tha Vuçiç. Ai shtoi se ka biseduar me presidentin turk dhe ka theksuar se Serbia mbështet integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe të entitetit të Republikës Serbe.

“Presidenti Erdogan ndjek një politikë sovrane dhe të lirë në Turqi, ashtu siç bëjmë edhe ne në Serbi, gjë që krijon një urë të mëtejshme mes dy vendeve,” shtoi Vuçiç.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd, tha se ata, ndër të tjera, shkëmbyen mendime dhe pritshmëri për bashkëpunimin rajonal. “Edhe një herë theksuam rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, dhe brenda kësaj është shumë e rëndësishme të veprohet me arsyetim të shëndoshë sa i përket tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, konfirmuam vendosmërinë tonë për të mbrojtur stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë,” deklaroi Erdogan.

Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Erdogan tha se me plotë gojën mund të deklarojë se ky është një “epokë e artë” për marrëdhëniet midis dy vendeve.