Erdogan dëshiron të formojë Aleancë të vendeve islamike kundër Izraelit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sot deklaroi se vendet islamike duhet të formojnë një aleancë kundër, siç e quajti ai, “kërcënimeve në rritje të ekspansionizmit”. Komenti i tij erdhi pas informacioneve nga zyrtarë turq dhe palestinezë se forcat izraelite kanë vrarë një grua me prejardhje turko-amerikane, e cila mori pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Veprimi i vetëm për të ndaluar arrogancën e Izraelit, barbarizmin izraelit dhe terrorizmin shtetëror izraelit është një Aleancë e vendeve islamike”, tha Erdogan në një takim të shoqatës së shkollave islamike pranë Stambollit.

Ai theksoi se lëvizjet e fundit të Turqisë për përmirësimin e marrëdhënieve me Egjiptin dhe Sirinë kishin për qëllim “krijimin e një linje solidariteti kundër kërcënimeve ekspansioniste gjithnjë në rritje”.

Këtë javë, Erdogan priti homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi. Tema e bisedimeve ishte lufta në Gaza, si dhe mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet e ngrira për 12 vite midis dy vendeve.

Në maj, presidenti turk njoftoi se “në çdo moment” do t’i dërgonte një ftesë homologut të tij sirian, Bashar al-Assad, për bisedime të mundshme për rinovimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat ndërprenë lidhjet në vitin 2011 pas shpërthimit të luftës civile në Siri.