Erdogan, bisedë telefonike me Merkelin: E papranueshme mbështetja e sjelljes egoiste të Greqisë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar pasditen e kësaj të enjte një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku u diskutua rreth zhvillimeve në Mesdheun Lindor.

Ky komunikim telefonik u zhvillua 24 orë pas ndërhyrjes publike të Sekretarit të Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, i cili kërkoi de-përshkallëzimin dhe fillimin e një dialogu midis Greqisë dhe Turqisë.

Mediat greke kanë zbardhur detaje nga biseda, ku thuhet se Erdogan ka qenë i prerë në përgjigjet e tij, ndërsa ka thënë se i duket e papranueshme mbështetja nga disa shtete e sjelljeve “egoiste” të Greqisë.
“Ne jemi për një shpërndarje të drejtë në mënyrë që të gjithë shtetet bregdetare të mund të fitojnë. Por Greqia, Qiprio dhe vendet që e mbështesin atë, përshkallëzojnë tensionin dhe nuk promovojnë një zgjidhje të përbashkët. Është e papranueshme për disa vende të mbështesin sjelljen egoiste dhe të padrejtë të Greqisë. Turqia gjithmonë dhe kudo do të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në çdo rast dhe veprim që nuk do të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Turqia mirëpret kontributin dhe përpjekjet e Angela Merkel dhe Gjermanisë për një zgjidhje,” tha Erdogan.