Epidemiologët: Vaksinimi i detyrueshëm, vetëm përmes shtrëngimit të masave

Vaksinimi i detyrueshëm për të punësuarit nëpër institucionet shtetërore do të kishte rritur ndjeshëm përqindjen e të vaksinuarve në vend, vlerësojnë epidemiologët. Sipas tyre, me rëndësi të veçantë do të ishte vaksinimi i të punësuarve në shëndetësi dhe arsim, pasi të njëjtit punojnë me kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve. Epidemiologu Aleksandar Stojanov, vlerëson se duhet të ketë gjoba për ata të cilët refuzojnë vaksinimin.

Besoj se këto masa do ta rrisin numrin e të vaksinuarve ndjeshëm. Besoj në këtë gjë, megjithatë patjetër të ndërmerret diçka e tillë. Patjetër të keni masa për situatë drastike sepse kjo do të zgjasë. Kemi nga 20 viktima në ditë, në një popull prej 2milion banorësh. Ata të cilët nuk duan të vaksinohen le të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin gjysmë page – tha Aleksandar Stojanov, Epidemiolog.

Instituti i Shëndetit Publik është institucioni i vetëm ku të punësuarit e kanë të detyrueshme vaksinimin. ISHP këtë masë e ka marrë në mënyrë të pavarur.

200 nga gjithsej 210 të punësuarit sa ka Instituti I Shëndetit Publik janë të vaksinuar me dy doza. Katër nga 10 të punësuarit e pa vaksinuar, janë imunizuar që kur kjo masë hyri në fuqi javën e shkuar. 2 të punësuar janë në pushim mjekësor, ndërkaq 4 të tjerë kanë bërë teste kur iu është kërkuar certifikata e vaksinimit – njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Komisioni për sëmundje ngjitëse më herët ka diskutuar mbi këtë masë, megjithatë ministri i Shëndetësisë Venko Filipce konfirmoi se për momentin nuk mendojnë të vendosin një masë të tillë.

Ndryshe, në Evropë shumë shtete nga Shtatori kanë vendosur që vaksinimi të jetë i detyrueshëm për kategori të caktuara duke u nisur nga bluzat e bardha. Edhe në disa vende fqinje këto masa tanimë janë në fuqi. Greqia është njëra nga ato shtete e cila e ka bërë të detyrueshme vaksinimin për punonjësit shëndetësorë si dhe personelin e punësuar nëpër shtëpitë e të moshuarve. Për ata të cilët nuk do vaksinohen janë paraparë edhe dënime. Shqipëria ka kushtëzuar çdo pedagog dhe student për t’u pajisur me certifikatë vaksinimi, para nisjes së mësimit në universitete. Ndërkohë edhe autoritetet e Britanisë kanë bërë të ditur se së shpejti do të hyjë në fuqi masa që vaksinimi për punonjësit shëndetësor të jetë i detyrueshëm.