Enzima që “ha” plastikë; Zbulohet bakteri që asgjëson mbetjet

Shkencëtarët kanë zbuluar një enzimë natyrale që asgjëson plastikën, një ndër materialet më ndotës të planetit pasi nuk shpërbëhet lehtë. Enzima prodhohet nga një bakter që eksperimentet e fundit e kanë zhvilluar edhe në laborator, duke i dhënë shpresë industrisë së riciklimit.

Me plastikën, shkenca arriti të zhvillonte atë që u konsiderua si materiali i mrekullueshëm; tani një enzimë natyrore e përmirësuar mund të ndihmojë pastrimin e ndotjes së njërit prej llojeve më të vështira të saj.

Polietilen tereftalate, apo ndryshe PET, një lloj plastike e fortë e përdorur zakonisht për prodhimin e shisheve, kërkon vite të tëra që të shpërbehet në ambient.

Por një enzimë, e modifikuar aksidentalisht në laborator, mund ta shpërbejë këtë material brenda disa ditësh.

Një zhvillim i tillë premton të revolucionarizojë procesin e riciklimit dhe të lejojë një ripërdorim më efikas të plastikës në të ardhmen. Enzima që ha plastiken është zbuluar fillimisht pak vite më parë në një qendër riciklimi në Japoni.

Tani, hulumtuesit e Universitetit Britanik të Portsmouthit, krijuan një model 3D të saj të definicionit të lartë, duke përdorur rreze të fuqishme X dhe sapo e kuptuan strukturën e enzimës, vunë re se mund t’ia përmirësonin performancën duke rregulluar vetëm disa mbetje në sipërfaqe.

Në këtë mënyrë krijuan një enzime të re akoma edhe më efikase në shkatërrimin e plastikës PET. Rezultatet janë mahnitëse, megjithatë edhe sfidat që presin aplikimin e tyre në boten reale nuk janë të vogla.

Zhvillimi i një teknike për prodhimin e enzimës me çmim të ulet do të jetë një pengesë kryesore; një tjetër do të jetë shfrytëzimi i fuqisë së tij në një shkallë industriale.

Sipas një studimi trevjeçar të botuar në revistën Raportet Shkencore muajin e kaluar, një grumbull gjigant mbeturinash ne Oqeanin Paqësor, i njohur si fasha e plehrave të paqësorit, po rritet me shpejt se sa pritej dhe tani është tre herë më e madhe se Franca, e më shumë se dyfishi i madhësisë se Teksasit.