Enver Hoxhaj: PDK asnjëherë s’do ta harrojë gjakun e dëshmorëve të UÇK’së

Kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vizituar familjen e Rexhep Malës, një familje e cila ka sakrifikuar shumë për lirinë e atdheut. Hoxhaj përmes një postimi në Facebook thotë se siguruar familjen Mala se sakrifica e tyre do të shërbejë përjetësisht si inspirim i ndërtimit të shtetit të Kosovës.

“Njëkohësisht, familjen Mala e garantova që PDK-ja asnjëherë nuk do t’i harrojë rrënjët e saj tek idealizmi i veprimtarëve të Ilegales dhe tek gjaku i dëshmorëve të UÇK-së”, ka shkruar Hoxhaj, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:

Nesër bëhen 37 vite prej kur në Kodrën e Trimave në Prishtinë ushtuan pushkët e lirisë në mesnatën mes 11 dhe 12 janarit 1984. Dy trima, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ranë heroikisht duke luftuar me policinë jugosllave. Pushkët e tyre ishin paralajmërimi i pushkëve të vajzave dhe djemve të UÇK-së që do ta sillnin lirinë 15 vite më vonë.

Unë isha shumë i nderuar që për këtë përvjetor e vizitova familjen e Rexhep Malës, një familje e cila ka sakrifikuar shumë për lirinë e atdheut. Me këtë rast, e sigurova familjen Mala se sakrifica e tyre do të shërbejë përjetësisht si inspirim i ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Njëkohësisht, familjen Mala e garantova që PDK-ja asnjëherë nuk do t’i harrojë rrënjët e saj tek idealizmi i veprimtarëve të Ilegales dhe tek gjaku i dëshmorëve të UÇK-së.
Lavdi dhe nderim i përjetshëm dëshmorëve të kombit!