Enuz: “Në prag të festës së Fitër Bajramit, kemi larë oborret dhe rrethinat e objekteve fetare islame”

Në konferencën e sotme për media të mbajtur së bashku me myftiun e Shkupit Qenan Ismaili, drejtori i NP Higjiena Komunale-Shkup, Zuhdi Enuz, njoftoi opinionin se në prag të festës më të madhe muslimane – Fitër Bajramit, ndërmarrja kryen aktivitete për larjen e oborreve dhe rrethinat e objekteve fetare islame të vizituara nga një numër i madh besimtarësh gjatë kësaj periudhe.

“Ekipet e NP Higjiena Komunale-Shkup kanë larë oborret e xhamive të Murat Pashës në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe Jahja Pashës në Çair, Xhamisë së Isa Beut në Bit Pazar, Xhamisë Husein Shah në Saraj e të tjera. Njëkohësisht është kryer larja manuale dhe makinerike e gjithë e hapësirës së Çarshisë së Vjetër të Shkupit, si dhe rrugëve kryesore dhe anësore në komunat Çair, Shuto Orizare, Gazi Babë dhe Saraj. Në të ardhmen, prioriteti ynë do të jetë ruajtja e nivelit më të lartë të mundshëm të higjienës dhe pastërtisë së mjediseve të afërta të tempujve të të gjitha bashkësive fetare, me qëllimin përfundimtar – mbrojtjen maksimale të shëndetit publik – tha Enuz, i cili informoi publikun gjatë Konferencës për media, se paga e muajit prill për punëtorët e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale-Shkup është paguar dje – para fundit të muajit, në mënyrë që secili punonjës të mund ta presë me dinjitet këtë festë më të rëndësishme muslimane.

Drejtori i NP Higjiena Komunale-Shkup, Zuhdi Enuz, me këtë rast ka falënderuar myftiun e Shkupit Qenan Ismaili për donacionin e Myftinisë së Shkupit të BFI-së, e cila ka dhuruar 64 pako ushqimore të destinuara për punëtorët e Ndërmarrjes nga kategoria e të rrezikuarve në aspektin social.