Enti për Statistika në dilema për vazhdimin e regjistrimit

Enti i Statistikave ende nuk ka vendosur nëse do të kërkojë nga Kuvendi që regjistrimi i popullsisë të vazhdohet edhe për pesë ditë. Nga Enti për Alsat thonë se gjithçka do të varet nga dita e sotme. Ndërsa në kumtesë për mediat thonë se janë angazhuar me të gjithë kapacitetin për të përfunduar në kohë dhe me sukses të gjithë procesin.

Rajonet më të vogla regjistruese në shtet, veç më përfundojnë me regjistrimin e popullsisë dhe bëhen konfirmimet përfundimtare. Në rajone të caktuara urbane intensiteti i regjistrimit rritet, inkuadrohen regjistrues plotësues që të mund të vizitohet çdo amvisëri dhe askush të mos lëshohet”. theksoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi se nëse partitë vendosin, në Kuvend nuk ka asnjë pengesë për të thirre seancë urgjente.

Në kontekst të Parlamentit nuk ka pengës po qese ka kërkesë të tillë, e për faktin që seanca e mundshme hipotetikisht duhet të jetë urgjente, sipas procedurave atë mund ta thirre edhe unë por zakonisht seancat urgjente bëhen me kërkesë të së paku 20 deputetëve dhe kjo është çështje në aspekt procedural gjithsesi se ka mundësi procedurale të bëhet, a çështja mbetet në qëndrimet politike”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Nga LSDM thonë se nuk kanë qëndrim konkret, derisa Enti nuk kërkon zyrtarisht vazhdimin e regjistrimit.
Komisioni kompetent për regjistrimin është ESHS dhe mendojmë se e para që duhet të shprehet për këtë është Enti. Për ne regjistrimi është në fazë përfundimtare dhe mendojmë se pikërisht në këtë fazë nuk është mirë që të politizohet një operacion statistikor që ende zbatohet për momentin”, theksojnë nga LSDM.

Ndërsa nga BDI thonë se do të mbështesin kërkesën eventuale të Entit të Statistikave.
Nëse ata mendojnë se edhe disa ditë shtesë do të kompletojë regjistrimin si proces tejet i rëndësishëm për vendin, ne do japim mbështetje”, thonë nga BDI.

Nga VMRO-DPMNE nuk shprehën qëndrim për vazhdimin e regjistrimit. Nga Aleanca për Shqiptarët, deputeti Halil Snopçe thotë se Kuvendi urgjentisht duhet të mblidhet dhe të vazhdojë edhe për dhjetë ditë afatin e regjistrimit, gjë të cilën e ka kërkuar prej kur është miratuar ligji.

Ftojmë parlamentin që urgjentisht të thirr seancë dhe të parashikojë 10 ditë shtesë për regjistrimin, gjë që ka qenë propozim i grupit parlamentar të Aleancës dhe Alternativës prej muajit janar prej kur u soll ligji për regjistrim. Pra ju e dini se kemi pasur amendament që kemi kërkuar që në qoftë se nuk kryhet regjistrimi në afatin e caktuar të ketë disa ditë shtesë që të mund të regjistrohen të gjithë qytetarët për të kryer obligimi e tyre ligjor”, tha Halil Snopçe, ASH.

Deri dje në ora 20 janë regjistruar gjithsej 1.695 549 qytetarë, 526.605 amvisëri dhe 752.916 banesa. Ndërsa nga mërgata përmes regjistrimit online janë regjistruar gjithsej 199 819 mërgimtarë. Regjistrimi duhet të përfundojë të enjten në mesnatë.