Enti i Statistikave ende i pavendosur për zgjatjen e afatit të regjistrimit

Një ditë para përfundimit të regjistrimit, Enti Shtetëror i statistikave ende nuk ka përgjigje konkrete nëse do të kërkojë afat shtesë për të përfunduar procesin. Nga ky institucion sot heshtin për këtë çështje. Për këtë çështje nuk është diskutuar as në mbledhjen e mbrëmshme të Qeverisë. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, shprehet se beson që gjithçka do të përfundojë në kohë, por se do të presin qëndrimin e Entit.

Jemi në komunikimi të vazhdueshëm me ESHS-në dhe në bazë të vlerësimeve të tyre dhe informatave të tyre do të sjellim vendime për më tej. Qëllimi jonë është që regjistrimi të përfundohet në afatin e parashikuar ligjor. Nëse ka diçka tjetër, në kohë do e njoftojmë opinionin – tha Bojan Marçiq, Ministër i Drejtësisë.
Nga Aleanca për shqiptarët thonë se deklarata e ministrit të drejtësisë lë dyshime se Qeveria përzihet në punën e Entit të Statistikave. Po ashtu kërkojnë urgjentisht vazhdimin e regjistrimit.

Ftojmë ministrin mos jep deklarata të tilla, sepse me deklarata nuk do e zgjedh problemin por vetëm se do e mbulon kapriçot e veta personale dhe të qeverisë se tij. Nga ana tjetër përsëri i bëjmë apel parlamentit që urgjentisht të mblidhet dhe të sjell vendim për vazhdimin e regjistrimit – thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski deklaron se nuk do të marrin pjesë në seancën eventuale për vazhdimin e regjistrimit.

VMRO-DPMNE nuk ka për qëllim që të hyjë në kurthet e Zaevit që në mes të fushatës të merremi me tema nga të cilat vetëm Zoran Zaev dhe dikush i afërt i tij do të kenë përfitime politike duke keqpërdorur emocionet e qytetarëve. Nuk do të marrim pjesë në asnjë lloj seance. Ndërsa me regjistrimin dhe situatën në të cilën ndodhet ky proces do të merremi pas zgjedhjeve kur do të kërkojmë llogari dhe përgjegjësi se çka ka bërë Qeveria – deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Ndërkohë regjistruesit janë në terren, dhe ata që kanë përfunduar punën në rajonet e tyre tani janë transferuar për të ndihmuar në rajone të tjera. Vazhdon edhe regjistrimi në pikat e hapura nëpër komuna.
“Për katër ditë me radhë mijëra qytetarë po regjistrohen në pikat për regjistrim të cilat Enti shtetëror i Statistikave i hapi nëpër komuna. Kjo me qëllim që të përshpejtohet regjistrimi dhe gjithçka të arrihet në kohë. Mirëpo nëse kjo do të japë efektin e duhur ende nuk dihet”.

“Ne pritëm e pritëm, e tash tre herë jam duke ardhur këtu. Kërkojnë këtë e atë, e kështu. Tani e mora edhe letër njoftimin e shoqes edhe erdha këtu”.
“Nuk kanë kaluar, nesër është afati i fundit, më gënjyen se nesër do vijnë. Por nuk ka lidhje. 1 javë ditë pritëm të vijnë në shtëpi”.

Ka shumë të tillë që janë të sinqertë që thonë se na kanë lënë letrën por nuk kemi mund ti thërrasim dhe vijnë këtu regjistrohen. Ka edhe disa që thonë se nuk kanë qenë regjistruesit në lagjet e tyre që është e vërtetë. Ka disa lagje që nuk ishin mbuluar – tha Bekim Berisha, regjistrues.
Deri në fund të ditës së djeshme janë regjistruar gjithsej 1. 760.194 qytetarë, 546.080 amvisëri dhe 789.406 banesa. Ndërsa në vetë regjistrimin e diasporës deri dje janë regjistruar mbi 201.000 mërgimtarë.