Ënjtje truri dhe mushkëri të dëmtuara/ Autopsia zbulon shkakun e vdekjes së kenianes që u dhunua në Tiranë


Në gusht të vitit të kaluar, në një hostel në Tiranë u dhunua në barbarisht 22-vjeçarja keniane Joy Ayoko. E reja që punonte në një kazino në kryeqytet, humbi jetën 2 muaj më parë në një spital në vendin e lindjes.

Në raportin mjekësor thuhet se 22-vjeçarja ka humbur jetën më 13 shkurt 2023 në orën 06:00 të mëngjesit në Spitalin Universitar Kenyatta ku po merrte trajtim mjekësor. Më 15 mars, autopsia ka zbuluar se vajza keniane ka patur hematoma në pjesën e sipërme të trurit të vogël me shenja nekroze (vdekje patologjike) dhe ënjtje. Në raport thuhet se shkaku i vdekjes ka qenë edema (ënjtje) e trurit për shkak të dëmtimit të kokës nga përplasja dhe goditjet me forcë dhe mushkëritë e dëmtuara.

Më tej në raport thuhet se truri i të resë për shkak të dëmtimeve të marra gjatë goditjeve ka dalë jashtë funksionit dhe shansat që ajo të mbijetonte kanë qenë inekzistente. Për shkak të hematomave të rënda mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ta mbajtur në jetë 22-vjeçaren e dhunuar në Tiranë.

Ndërkohë mësohet se natën që Joy është dhunuar në dhomën e saj kanë qenë më shumë se një person. Edhe pse kanë kaluar 8 muaj nga kjo ngjarje ende nuk dihet se kush e dhunoi në këtë mënyrë dhe cili ishte shkaku.