Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI), ende nuk ka filluar me përgatitjet për zgjedhjet e kryetarit të të saj, pavarësisht se paralajmëruan që pas Kurban Bajramit do të fillojnë përgatitjet e procesit zgjedhor. Nga BFI tani sërish paralajmërojnë se kah fundi i shtatorit pritet që të fillojnë aktivitetet.
Selver Xhemaili, shefi i Kabinitetit të u.d. reisti të BFI-së, Shaqir efendi Fetahu thotë se në BFI ende nuk ka sinjale për fillimin e procedurave të procesit zgjedhor.
“Ende nuk kanë filluar procedurat. Nuk kemi ndonjë sinjal se së shpejti do të fillojë, por shpresojmë kah fundi i shtatorit do të fillojë. Afat ka që brenda gjashtë muajve duhet të fillojë procedura”, thotë Xhemaili.
08.07.2020: Përgatitjet për zgjedhje të reisit të ri pritet të fillojnë pas Kurban Bajramit
Paraprakisht, për redaksinë tonë nga BFI paralajmëruan se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve duhet të fillojë pas Kurban Bajramit, por Bajrami ka kaluar më shumë se një muaj, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.
Sipas Kushtetutës së BFI-së, Reis ul Ulemaja është organ dhe kryetar i BFI-së i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë. Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.
Për Reis ul Ulema mund të propozohen dhe të zgjedhjen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare. Sipas nenit 36 të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Rijaseti i BFI-së e propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë.
Më 27 maj, Rijaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepin. Pavarësisht se Rijaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.
Në po të njëjtën ditë, në vend të Rexhepit u emërua Efendi Fetahu, i cili do të jetë në krye të BFI-së deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja për reis të ri./Portalb.mk