Emigrantët më të famshëm, që ndryshuan botën. Mes tyre, shqiptarja e shenjtë

Qoftë duke i ikur persekutimit, qoftë duke kërkuar mundësi të reja, këto figura u zhvendosën në toka të reja dhe gjetën suksesin.

ALBERT EINSTEIN

GJERMAN/AMERIKAN 1879-1955

Albert Einstein mbajti tre nënshtetësi gjatë gjithë jetës së tij. Ai lindi në një famillje laike hebreje në Gjermani dhe ndoqi shkollën në Mynih, por në moshën 17 vjeç hoqi dorë nga nënshtetësia gjermane për të shmangur shërbimin ushtarak. Në vitet që pasuan studioi në Zvicër dhe u bë nënshtetas zviceran. Atje zhvilloi teorinë e tij të relativitetit të përgjithshëm dhe fitoi Çmimin Nobel për fizikën, përpara se të bëhej profesor në Berlin. Kur nazistët morën pushtetin, ai u largua për në SHBA për t’i shpëtuar persekutimit, dhe në vitin 1940 u bë nënshtetas amerikan. Një nga thëniet e famshme: “Nëse Teoria ime rezulton e pavërtetë, Franca do të thotë se jam gjerman dhe Gjermania do të thotë se jam hebre”.

MADELEINE ALBRIGHT

ÇEKE/AMERIKANE 1937 –

E para Sekretare Shteti femër e SHBA, ajo u lind me emrin Marie Jana Korbel në Çekosllovaki, por kur ishte ende fëmijë, ajo dhe familja u larguan nga vendi pas pushtimit prej nazistëve. Kërkuan strehim në Angli gjatë Luftës së Dytë, por pasi u kthyen për shumë pak kohë në Çekosllovaki u larguan sërish, kur në pushtet erdhën komunistët. Këtë herë udhëtuan për në SHBA, ku Korbel studioi politikë dhe krijoi një familje me Joseph Albright. Pasi punoi për Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ajo u emërua ambasadore në OKB nga presidenti Clinton, i cili më pas e emëroi Sekretare Shteti, duke e bërë gruan me postin më të lartë në qeverinë amerikane.

HANS HOLBEIN

GJERMAN/ANGLEZ 1497-1543

Pasi studioi nën mbikëqyrjen e të atit, artistit Hans Holbein i madhi në Augsburg, Gjermani, Hans Holbein i riu u zhvendos në Bazel të Zvicrës. Piktori udhëtoi nëpër Evropë duke prodhuar afreske dhe punime druri, por përhapja e Reformimit bëri që kërkesa për veprën e tij të ishte në rënie. Në vitin 1526, ai udhëtoi në Angli të kërkonte punë, dhe siguroi një të tillë si artist personal i Mbretit Henry VIII, duke prodhuar kështu disa prej pikturave më të famshme të shekullit 16.

WILLIAM I

NORMAN/ANGLEZ 1028-1087

William Pushtuesi, i pari mbret norman i Anglisë, e mori me forcë atdheun e ri, por nuk kish pse të ishte kështu. Duka i pamëshirshëm i Normandisë pretendoi se i ishte premtuar kurora e Anglisë nga kushëriri i tij i largët, Edward Pushtuesi, i cili ishte mbreti pa fëmijë i Anglisë në atë kohë. Megjithatë, kur Edward vdiq, Harold Godwinson u shpall trashëgimtar i tij. William u tërbua që Harold, një njeri që ishte betuar ta ndihmonte të merrte fronin, e kish tradhëtuar, dhe kështu udhëtoi në Angi për t’u përballur me të. Harold u vra në betejë dhe William u bë më në fund mbret i Anglisë.

NËNË TEREZA

SHQIPTARE/INDIANE 1910-1997

“Me gjak, jam shqiptare. Me nënshtetësi indiane. Me besim jam katolike. Sa për thirrjen time, i përkas botës”. Këto ishin fjalë të vetë Nënë Terezës, tek përmblidhte një jetë si bamirëse. E lindur nga prindër shqiptarë, ajo i kaloi 18 vitet e para të jetës në Shkup, nën perandorinë osmane. Pasi iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë, ajo udhëtoi për në Indi për t’u bërë mësuese, dhe pikërisht aty përjetoi thirrjen e parë për t’iu kushtuar ndihmës për të varfërit në Kalkutë.