Emigrantë të zhveshur në kufirin turko-grek, palët akuza për trajtim çnjerëzor

Zbulimi gjatë fundjavës i 92 emigrantëve të zhveshur në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë ka shkaktuar akuza dhe kundërakuza mes të dyja shteteve duke shtuar tensionet mes tyre. Pamjet të tilla janë dënuar edhe nga Kombet e Bashkuara. Zëdhënësi i qeverisë greke shprehet se kjo sjellje çnjerëzore është një turp për qytetërimin dhe udhëheqjen turke.

“Në vend që të fajësojë të tjerët për atë që po ndodh në territorin e saj, Turqia duhet të hetojë incidentin, të ndëshkojë ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt dhe të respektojë detyrimet e saj sipas Deklaratës së Përbashkët me BE-në”, shtoi zyrtari i lartë grek. Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Sepse kur i shtyn emigrantët, Greqia konfiskon gjithçka që ata kanë, në mënyrë që të mos kthehen më. Është krejt e natyrshme që Greqia, karta e së cilës është shumë e keqe për sa i përket shkeljes së ligjit ndërkombëtar, tenton të shpif ndaj Turqisë ndërsa numri i krimeve të saj shtohet”, u shpreh ministri turk. Emigrantët kryesisht nga Afganistani dhe Siria, u gjetën pranë kufirit pasi kaluan lumin Evros me gomone. UNHCR bën me dije se mes tyre kishte edhe fëmijë.
/Euronews Albania/