Elon Musk planifikon vendosjen e çipave në trurin e njeriut, vitin e ardhshëm

Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, është shprehur sot se ka në plan që kompania e tij neuroteknologjike Neuralink, do të nisë implementimet e mikroçipeve tek njerëzit vitin e ardhshëm.

Neuralink, e cila u bashkë-themelua nga Musk në vitin 2016, po ndërton një çip i cili do të transplantohet në trurin e njeriut për të regjistruar si dhe stimuluar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetin e trurit.
Qëllimi kryesor i kësaj teknologjie është të ketë aplikime mjekësore si trajtimi i dëmtimeve të rënda të shtyllës kurrizore apo edhe çrregullimeve neurologjike.

Gjatë një interviste live në Samitin CEO Council të The Wall Street Journal, Musk u pyet rreth planeve të Neuralink për vitin 2022.

Musk u përgjigj duke thënë se, “Neuralink po funksionon mjaft mirë tek majmunët dhe ne jemi duke kryer shumë testime dhe kemi nisur të konfirmojmë që ato janë shumë të sigurta dhe të besueshme. Gjithashtu kjo pajisje e Neuralink mund të hiqet në mënyrë po aq të sigurt.”

Në vazhdim, Musk tha se, “Ne shpresojmë që ta instalojmë këtë [çip] tek njerëzit e parë – të cilat do të jenë njerëz që vuajnë nga sëmundjet serioze të shtyllës kurrizore si tetraplegjikët dhe paraplegjia– vitin tjetër, presim aprovimin e FDA (Federata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave).”
Musk theksoi se “standardet e Neuralink për këto lloj pajisjesh janë shumë më të larta se ato që kërkohen nga FDA.”

Në vijim ai risolli në vëmendje një postim të vjetër në Twitter, ku kishte thënë se “Ne do të ecim përpara vetëm atëherë kur këto pajisje të vendosen tek njerëzit vitin e ardhshëm, pasi është e vështirë të kesh biseda të detajuara me majmunët,” – tha ai.

Në prill, Neuralink hodhi në rrjet një video të një majmuni që luan video-lojëra duke përdorur një pajisje të Neuralink.

Pasi mblodhi donacione prej $205 milionë dollarësh në korrik, Neuralink tha se do të kanalizonte fondet drejt ndërtimit të një mikroçipi që do t’i lejojë paraplegjikët të kontrollojnë pajisje digjitale me mendjet e tyre.

Paraplegjia dhe tetraplegjia është një paralizë e plotë ose e pjesshme e këmbëve dhe/ose krahëve.
Neauralink nuk është kompania e vetme e cila po prodhon pajisje të lidhura me neuroteknologjinë.