Elon Musk blen Twitter-in, ja për sa miliardë dollarë

Bordi i Twitter ka rënë dakord për të pranuar një ofertë për blerje prej 44 miliardë dollarësh nga miliarderi Elon Musk. Musk, i cili bëri ofertën shokuese më pak se dy javë më parë, ka pohuar se ai është personi i duhur për të “zhbllokuar potencialin e jashtëzakonshëm” të firmës së mediave sociale.

Ai ka sugjeruar një sërë ndryshimesh nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes deri tek zhdukja e llogarive false.
Twitter fillimisht kundërshtoi ofertën e Musk, por tani do t’u kërkojë aksionarëve të votojnë për të miratuar marrëveshjen.

Musk është njeriu më i pasur në botë, sipas revistës Forbes, me një vlerë neto prej 273.6 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të aksioneve të tij në prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla, të cilën ai e drejton.
Ai gjithashtu drejton edhe kompaninë e hapësirës ajrore SpaceX.