Elita e ushtrisë sonë, komandot që u bënë pjesë e organizatave të trafikut Elita e ushtrisë sonë, komandot që u bënë pjesë e organizatave të trafikut

Turqia, prej ditësh, ka lajmëruar se ka ndërhyrë për të goditur një grup shqiptaro-turk që trafikonte lëndë narkotike.

Policia e Shtetit, me anë të një njoftimi, tregoi se ishte arrestuar një person dhe ishin shpallur në kërkim tre të tjerë, duke saktësuar se në fakt ishin shqiptarët që çuan informacion te homologët turq, të cilët u vunë në lëvizje. Lajmërimin Policia jonë e dha më datën 9 tetor, pra, 4 ditë pasi nga aeroporti ndërkombëtar i Shqipërisë kishin kaluar çanta udhëtarësh të mbushura me hashash

Ose të paktën ky është sinjali i nxjerrë ditën e djeshme nga Policia turke, e cila referuar operacionit antidrogë tregon se mes të arrestuarve janë një ish-komando, pjesë elite, sipas parametrave më të cilët maten elitat në vendin tonë; një efektiv i Policisë Rrugore, aktualisht efektiv i Komisariatit të Tiranës dhe një person tjetër, emri i të cilit është lënë pa skedë identifikuese nga ana e Policisë, edhe pse ka 11 ditë që nga koha e vënies në pranga të këtyre personave.

Informacionin për arrestimin e efektivit të Policisë dhe ish-komandos e nxori dje Policia e Shtetit, me anë të zërave të vet zyrtarë, për t’i lënë hapësirë edhe një lajmërimi tjetër, me të cilin tregoi se kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku, e ka përjashtuar përgjithmonë nga Policia efektivin në detyrë, Florenc Bicerri, një 27-vjeçar që ka pak kohë që operon në radhët e organizatës policore. Ndër të tjera, njoftimi për vendimin e kreut të Policisë tregonte edhe se kishin nisur hetime për të mësuar se si kishte mundësi që droga kishte kaluar nga aeroporti i Rinasit. E për këtë fakt është ftuar në ndihmë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që tashmë drejtohet nga Ardi Veliu!

KOMANDOT, EDHE ‘ELITË’ KRIMI

Prej vitesh, Shqipëria dhe shqiptarët janë orvatur të krenohen me rreshtimin e specialëve të ushtrisë sonë krah atyre më të njohur atë botës. E kjo falë komandove që merrnin pjesë në misione të ndryshme në vendet e luftës. Edhe pse pak dihej nga mënyra se si përzgjidheshin për tu bërë pjesë e këtij misioni, madje kishte edhe akuza ndaj drejtuesve të ushtrisë për këto përzgjedhje, por komandot mbetën përfaqësuesit tanë të misioneve ushtarake nëpër vendet e konflikteve, derisa, ata në pamundësi rinovimi kontratash, duke refuzuar pagat në ushtri nisën të merreshin me krimin.

Ose ashtu të paktën i referoi Policia, i hetoi Prokuroria dhe i dënoi Gjykata. Janë shumë raste të evidentuara nëpër media në dekadën e fundit ku emra autorësh të veprave të ndryshme penale shoqëroheshin edhe me identifikimin ish ose komando. Nga trafikantë droge, te trafikantë minash të telekomanduara, nga të dyshuar për akte terroriste deri te të përfshirë në grupe kriminale dhe të dyshuar edhe si vrasës me pagesë. Është një listë me raste, jo të gjitha, që dëshmon që komandot kanë qenë pjesë e krimit po aq sa edhe Policia e Shtetit, ndonëse kjo e fundit më e shumtë në numër, për shkak edhe të eficencës dhe kudogjendshmërisë.

RASTET 9 SHTATOR 2022

Anis Plaku arrestohet në Britaninë e Madhe. Ai ishte një ish-komando shqiptar që u arrestua në Angli, me dy bashkëkombës të tjerë, pasi u kapën me lëndë narkotike me vlerë 300 mijë paund. Anis Plaku, 29 vjeç, ish-ushtarak i Forcave të Armatosura shqiptare, që shërbeu edhe në Afganistan, u dënuan me tre vite burg.

1 SHTATOR 2020

Klodian Beshiri arrestohet për plagosje. Anëtari i Forcave të Armatosura, komando Klodian Beshiri, u bë me dije se plagosi me armë dy persona mbrëmjen e 1 shtatorit të vitit 2020, pas një sherri. Në atë kohë, Beshiri u akuzua se plagosi me armën e shërbimit Rexhep Qefalinë dhe Redi Myrton.

15 PRILL 2019

Erzen Uka arrestohet për terrorizëm. Ish-komando Erzen Uka, që shërbeu në Irak dhe Afganistan, u arrestua nga Antiterrori më 15 prill 2019. Ai u vu në pranga pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtjes me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe survejohej prej shume vitesh.