“Shqipëria dhe Kosova duhet të përafrohen në të gjithë nivelet dhe duhet të bashkëpunojnë si dy shtete që kanë një qëllim të përbashkët”. Kështu e komentoi në Euronews Albania, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaratën e Albin Kurtit se nëse do të mbahej ndonjë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro.
Ministrja u shpreh se kjo është një çështje që kërkon bisedime dhe mirëkuptim nga të dyja palët. “Ka qenë një linjë e pandryshuar e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është një çështje, e cila do shumë bisedime, e cila do mirëkuptim nga të dyja palët, ne e kemi shpresuar dëshirën për mirëkuptim dhe bisedime dhe afrim sa më të madh jo vetëm të legjislacioneve, por edhe të memorandumeve të bashkëpunimit”, u shpreh ministrja.
Sa i përket bashkëpunimit me qeverinë e re të Albin Kurtit në Kosovë, ministrja u shpreh se nga qeveria shqiptare do të ketë gjithmonë gatishmëri dhe vullnet për të folur si shqiptari me shqiptarin. “Kjo është e sigurt dhe shpresoj që të kemi të njëjtën dashamirësi sepse interesat tona kombëtare të dy vendeve shkojnë përtej interesave elektorale të momentit. Secili në qeverinë e tij mund të bëjë shumë për këtë përafrim duke lënë cic micet e vogla”, tha ajo më tej.