Elezi parlajmëron ‘luftë’ të ashpër ndaj krimit të organizuar


Ministria e Financave tashmë e ka dorëzuar në kuvend për miratim Ligjin për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit si një nga ligjet më të rëndësishme në përputhje me direktivat e BE-së. Zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, në një prononcim ekskluziv për TVM2 theksoi se Ligji i ri do të kontribuojë në parandalimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe ekonomisë joformale.

Sipas Elezit, ndryshimet më të rëndësishme ligjore kanë të bëjnë me pengimin e keqpërdorimeve të sistemit pagesor dhe sistemin financiar, si dhe në gamën e analizave të funksionarëve publikë në vend të cilët gjithashtu do të përfshihen në kontrolle.

“Në këtë ligj parashikohen disa ndryshime shumë të rëndësishme dhe qenësore dhe ne si Ministri e Financave mendojmë që do të jetë pozitiv, me qëllim që të zvogëlohet krimi i organizuar dhe ekonomia joformale, gjegjësisht shmangia nga evazioni fiskal… Kemi rritur përgjegjësinë te institucionet e ndryshme financiare, posaçërisht bankave dhe të shërbimeve apo shoqatave që merren me transferimin e shpejt të parave, të cilat do të jenë të obliguara që konform të punësuarve të kenë edhe persona apostafat të cilët do të jenë drejtpërdrejt të kyçur në lidhje me komunikimin me Drejtorinë për Kundërzbulim Financiar në lidhje me plasimin e informatave të ndryshme sa i përket mjeteve të cilat do të transferohen përmes sistemit pagesor dhe klientelës. Si ndryshim tjetër që parashihet është edhe zvogëlimi i sasisë së parave, gjegjësisht pagesa me para të gatshme, pra zvogëlohet nga 15 mijë euro zbret deri në 2 mijë euro”, deklaroi zëvendësministrja e financave, Shiret Elezi.

Elezi potencon se të gjitha ndryshimet janë në përputhje me reformat dhe me direktivat e Unionit Europian. Ftesa për anëtarësim në BE, sipas saj, do t’i japë një impakt pozitiv ekonomisë së vendit në tërësi, e veçanërisht tërheqjen e investimeve të huaja.