Elezi: Faton Hajrizi është vrarë, ja pse nuk u kap i gjallë

I ashtuquajturi ekspert i sigurisë, Bedri Elezi, i cili drejton një institut në Prishtinë, tha sot se Faton Hajrizi është vrarë në Serbi.

Ai tha se autoritetet serbe qëllimisht nuk e kapën të gjallë ish të burgosurin në burgjet e Kosovës.

Elezi, në emisionin Kosova Today, tha se shteti serb nuk ka pasur qëllim që ai të arrestohej dhe të fliste për ngjarjen.

“Çështja është pse pritja? Pse kjo amulli? E kam thënë se që në momentin kur ministri i Brendshëm i Serbisë ka thënë se bëhet fjalë për sulm terrorist, atëherë kjo ka ndodh. Autoritetet e Serbisë kanë angazhu mbi 400 policë për kapjen e personit të dyshuar. Nëse ata kanë dashur të vërtetojnë këtë ngjarje, pra të vërteten e kësaj ngjarje, ata do ta kishin arrestu [Faton Hajrizin]. I njëjti është vrarë në çfarëdo forme në mënyrë që të mos flasë”, tha ai.

“Nuk është ideja se çfarë sekreti mund të kishte ai, por e vërteta e qëllimit të shkuarjes së tij në Serbi”, tha Elezi.

Elezi tha se gishtërinjtë e Hajrizit mund të jenë dëmtuar në Serbi.