EKSPLOZIV NË BANESË, FLET DREJTORI I OSHEE-SË: JAM I SHOKUAR, ISHA ME VAJZAT E MITURA

Një shpërthim tritoli ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e drejtorit të OSHEE-së në Krujë.

Shpërthimi në banesën e Besnik Mashës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa për herë të parë pas kësaj ngjarje ka reaguar vetë kreu i OSHEE-së.

Masha ka treguar për Fax News se ndihet i shokuar teksa thekson se në momentin e shpërthimit ka qenë brenda shtëpisë, së bashku me dy vajzat e tij të mitura.

“Jam i shokuar nga ngjarja e mbrëmshme, pasi kam qenë aty brenda me dy fëmijët e mi të mitur, vajzën 10 muajshe dhe tjetrën 3 vjeçe. Kam 4 vjet në këtë detyrë dhe skam patur një problem me një njeri, unë dal orë pa orë në punë dhe nuk i jam ruajtur njeriu” tha kreu i OSHEE-së teksa tregon se ka qenë babai i tij që ndjeu erën e barutit.

“Ai doli të shohë jashtë banesës, e ka ruajtur vetëm fakti që në momentin e shpërthimit ishte para makinës dhe shpërthimi ka qenë pas saj. Kërkoj zbardhjen e ngjarjes dhe autorët të vihen para drejtësisë. Si kam bërë keq askujt” deklaroi Masha.

Sipas policisë shpërthimi ndodhi rreth orës 3:00, pasi ishte hedhur lëndë plasëse brenda murit rrethues të banesës së shtetasit B.M. 29 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së Fushë-Krujë, banues në lagjen “Pengile” Krujë. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e shkaqeve të ngjarjes.