Uji i ëmbël në pjesë të ndryshme të globit po thahet me ritme alarmuese, paralajmërojnë ekspertët.
Lumi i Kolorados, që furnizon më shumë se 40 milionë vetë në SHBA dhe Meksikë, ka vuajtur prej kohësh nga përdorimi i tepruar, e tani në mesin e një thatësire të ashpër, qeveria e SHBA-së po nxiton të marrë masa.
Dy rezervuarët më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, liqeni Mead dhe Powell, kanë mbërritur nivelet më të ulëta historike. Situata të ngjashme po regjistrohen edhe në pjesë të tjera të botës. Duke cituar shkencëtarë në zë, CNN thotë se kriza e klimës është duke përshpejtuar edhe krizën e ujit.
Ashtu si në rastin e parë, edhe në të dytin, koha nuk premton më. Por në ndryshim nga aktivizimi i madh për klimën, nuk ka pasur lëvizje të mjaftueshme ndërgjegjësuese sa i takon tkurrjes se rezervave ujore, që kërcënon të kthehet në një sfidë të vërtetë per planetin.
Një nga masat që mund të ndihmojnë në këtë drejtim është mbjellja e pemëve. Pemët janë një kontribuues kritik në ciklin e ujit, pasi ato mbledhin dhe filtrojnë ujin e shiut, ulin erozionin e ndihmojnë në ruajtjen e cilësisë së ujit.