Ekspertët e arsimit e shohin të domosdoshme rritjen e numrit të psikologëve e pedagogëve në shkolla

Planin e kryeministrit, Albin Kurti për shtimin e numrit të psikologëve dhe pedagogëve nëpër shkolla po e sheh si të domosdoshme, Ismet Potera nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.
Potera ka thënë se kompletimi i shkollave me një staf psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm, sado që nuk i zgjidh të gjitha problemet.

“Kompletimi i shkollave me këtë stafin profesional ose shërbimin psiko-pedagogjik është shumë i domosdoshëm por nuk i zgjidh problemet, për shkak se edhe më parë në shkollat ku i kanë dy kuadrot kanë probleme të tjera. Kështu që do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për mësimdhënësit sepse do ta kenë një mbështetje profesionale, ndërsa nuk e zgjidh problemin në përgjithësi por është më mirë që një segment së paku të rregullohet sesa të mos rregullohet fare”.
Ai thekson që do ishte një hap shumë i mirë dhe një ndihmesë edhe për ata psikologë dhe pedagogë që kanë diplomuar për këtë fushë dhe punojnë punë të tjera.

“Do të ishte një zgjidhje shumë e mirëseardhur për ata pedagogë dhe psikologë që kanë kryer shkolla dhe sot ose punojnë punë të tjera dhe nuk janë duke punuar për atë të cilën janë të përgatitur dhe do ishte një hap shumë i mirë, edhe pse qysh në vitin 2016 është hartuar një plan administrativ për kompletimin e këtij shërbimi nëpër shkolla mirëpo në një mënyrë ju është lënë komunave që nëse kanë buxhet ta realizojnë, por nëse Qeveria ndan një buxhet të veçantë do ishte lehtësim për komunat. Dhe nuk është vetëm kjo pasi sot shkollës i duhet sociologu, i duhet mjeku e komplet shërbimi që pothuajse është e pamundur me këtë buxhet që kemi”, tha ai për EO.

Ekspertja tjetër e arsimit, dhe njëherit Drejtoresha Ekzekutive në “Edutask”, Bardha Qirezi e sheh si të nevojshme në përkrahje të nxënësve.
“Kjo është e domosdoshme dhe mënyra se si do të zbatohet kjo nismë ose intervenim është shumë e rëndësishme. E para e punës psikologët në shkolla janë të nevojshëm për shkak se ata përkrahin jo vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit, roli i psikologëve në shkolla në shumë vende kryesisht koncentrohet për të përkrahur nxënësit që ata të kenë sukses akademik por edhe ti përkrahin me sjellje, me shëndetin mendor dhe aspektet emocionale që mund ti kenë”, tha Qirezi për EO.

Ajo thotë se është nismë e qëlluar edhe pse e kushtueshme, por që nëse shikohet në plan afatgjatë mund të sjellë efekte pozitive.
“Kisha sugjeruar që në vend se vetëm të punësohen psikologët, pa ndonjë plan ne duhet të bëjmë një plan se çfarë ata do të bëjnë në shkollë, si do ti përkrahin nxënësit por edhe mësimdhënësit, por në anën tjetër me parandaluar në bulëzimin dhe braktisjen e shkollave, qoftë aspektet tjera specifike që mund t’i ketë një komunitet. Është nismë e qëlluar, normal që kushton mirëpo nëse fokusohet në mirëqenien e nxënësve, mësimdhënësve dhe familjeve do t’i ndihmojë shoqërisë tonë”, theksoi ajo.