EKSKLUZIVE: Anulohet seanca e deklaratës solemne për anëtarët e ri të KSHZ-së


Anulohet seanca e deklaratës solemne për anëtarët e ri të KSHZ-së. Flaka mëson që sot herët në mëngjes anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor – KSHZ, janë njoftuar që seanca është prolonguar për afat të pacaktuar dhe se brenda kohës do të jenë të njoftuar me orarin e ri të zhvillimit të seancës në Parlament. 

Në arsyetim të organeve kompetente, është thënë që seanca prolongohet për shkak të angazhimeve të tjera të kryeparlamentarit Xhaferi.

Ndryshe, përbërja e përkohshme gjashtëmujore e KSHZ-së u zgjodh me 100 vota “për” në mënyrë të shpejtë dhe pa diskutim në seancën e 56-të e cila u mbajt të mërkurën në mbrëmje, pas marrëveshjes që e arritën partitë politike dhe liderët në takimin të hënën.

Kryetar i KSHZ-së është Oliver Derkovski i propozuar nga VMRO-DPMNE, ndërsa Ditmire Shehu nga BDI-ja për nënkryetare. Elizabeta Postollovska nga VMRO-DPMNE, Janakie Vitanovski, Boris Kondarko dhe Radica Risteska nga LSDM-ja, si dhe Enver Saliu nga BESA janë anëtarë të trupit më të lartë zgjedhor në shtet.

Me formimin e KSHZ-së u krijuan kushte për organizim të referendumit të paralajmëruar për në vjeshtë për Marrëveshjen me Greqinë.