“Ekologjia” bllokon punën e Rafinerisë ilegale

Prej tre ditësh tashmë ndaloi së punuari rafineria ilegale në Kostërnik, që kur mediar denoncuan veprimtarinë ilegale të riciklimit të vajrave të djegura motorike, duke ndotur ajrin dhe ambientin jetësor.
Ministri i ekologjisë demanton investitorin, i cili një ditë më parë tha se kishte marrë elaborat të mjedisit jetësor. Naser Nuredini në mënyrë të prerë tha se ajo uzinë duhet të çrrënjoset për të ruajtur shëndetin e banorëve.

“Në bazë të informatave të arkivit tonë, nga firma ‘BASE OIL’ nuk kemi asnjë kërkesë në Ministri, gjitha lëndët i shqyrtuam dhe nuk ka asnjë kërkesë në Ministri që do të thotë se ne nuk kemi dhënë asnjë leje për aktivitete të tilla në atë vend. Së pari kujdesemi për shëndetin e qytetarëve tanë, për atë punë ka ligje dhe rregulla, nëse vjen kërkesë nga cilado firmë, së pari vëmë kontakt me komunën për të konstatuar se çfarë zone bëhet fjalë, a lejohet aktivitet industrial aty, nëse nuk lejohet ne nuk mund të japim leje”, tha Naser Nuredini, Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Përveç Inspektoratit shtetëror, uzinës nuk i hiqet nga dera as Inspektorati komunal i ambientit jetësor. Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski tha se përveç konstatimit se uzina nuk posedon leje pune, do të dërgojë edhe Inspektoratin urbanistik nga që ai është objekt pa leje ndërtimi në atë zonë të banuar.

“Objekti, së pari është ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe së dyti bëhet fjalë për zonën që parashihet shtëpi banimi, tokë bujqësore dhe ambient rural ku nuk është e lejuar të ndërtohen objekte industriale, posaçërisht objekte të industrisë ndotëse. Sipas rregullave tona në fuqi është e palejuar dhe absolutisht Komuna nuk ka hapësirë të jep asnjë lloj leje që të mund të kryhet ajo veprimtari në atë lokacion”, u shpreh Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Ai tha se uzina është jashtë zonës industriale komunale “Novine-Reçica” që po të ishte edhe brenda saj nuk amnistohet, ngaqë zona është e tipit G2 vetëm për industri të lehtë jo ndotëse të ambientit jetësor. Përderisa të gjitha institucionet përkatëse ngrenë supet dhe thonë se nuk i kanë dhënë “OK” për punë, banorët pyesin se kush qëndron prapa pronarit, duke thënë se ka investuar afër 1 milion euro as pa “amin” e as pa tapi.