Ekipi i mjekëve shqiptar që udhëtoi në Itali në ‘luftën’ kundër Covidit/ Media italiane: S’dhanë asnjë kontribut, harxhuan 3 mln euro

Delegacioni shqiptar që shkoi në mars të vitit 2020 në Lombardi, veçanërisht në Breshia të Italisë, për të ndihmuar personelin mjekësor italian, ka nxjerrë në pah shumë pikëpyetje. Një prej tyre është se a ishte vërtet i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Aq më tepër, që pas delegacionit shqiptar ishte edhe ai rus i mbushur komplet me spiunë ku nga 104 persona, 72 ishin ushtarë dhe agjentë të Shërbimit Sekret rus.Gazeta italiane Corriere della Sera shkruan se përveç argëtimeve të njohura, ahengjeve me alkool të shqiptarëve në hotelin që i priti në Brescia, kryeministri Edi Rama dhe ai italian Giuseppe Conte, së bashku me ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio të asaj kohe duhet të japin sqarime se si mes një grupi prej tridhjetë mjekëve dhe infermierëve, kishin futur edhe një punonjës karburanti.

Për akomodimin dhe pritjen e ekipit të mjekëve që udhëtoi nga Tirana drejt Italisë u harxhuan plot 3 milionë euro, para që do të shërbenin për të jetuar në Breshia. Gjithashtu media italiane shkruan se “duhet evidentuar edhe veprimtaria e avokatit të famshëm shqiptar Engjëll Agaçi, shpeshherë mbrojtës i trafikantëve të mëdhenj të drogës dhe një njeri i njohur nga institucionet tona, i cili udhëtoi jo rastësisht me grupin e mjekëve për në Lombardi, i cili pasi mbërriti në Romë u angazhua me Guardia di Financian, duke pasur parasysh misionet dhjetëvjeçare dhe të gjata të kësaj të fundit në Shqipëri, për shembull në identifikimin e kulturave të drogës, për të cilat shpesh Shqipëria ka marrë emrin “Narkoshtet”.

Gazeta shkruan gjithashtu se analistët e marrëdhënieve ndërkombëtare e kishin parë gjestin e kryeministrit Edi Rama ndaj Italisë si një si një lëvizje gjeopolitike për të rritur kredite në arenën kombëtare dhe në raport me integrimin e vendit në BE. Nga frika e humbjes së punës deri më tani askush nuk ka denoncuar delegacionin rus dhe aktivitete e tyre në spitale, të cilët ishin spiunë dhe u maskuan si mjekë.

Po kështu edhe njerëzit e dërguar të Edi Ramës nuk dhanë asnjë kontribut të rëndësishëm në luftën ndaj koronavirusit në Itali që ishte një ndër vendet më të prekura, dhe kjo është e natyrshme kur u konfirmua edhe nga gazetarët shqiptarë se një prej infermierëve ishte edhe pompist në një nga pikat e karburantit në Shqipëri./Panorama