Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi dhe ministri i Shtetit të Arabisë Saudite për Çështjet Afrikane, Ahmed Kattan, u takuan në Kajro për të diskutuar mënyrat për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim gjithashtu morën pjesë ministri i jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry dhe shefi i inteligjencës, Abbas Kamel.
Thuhet se bisedimet kanë trajtuar “mënyrat për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe bashkëpunimin me shtetet afrikane, me qëllim rritjen e aftësive të përbashkëta të të dy vendeve”.
Ministri saudit, Al-Kattan theksoi dëshirën e Rijadit për të rritur bashkëpunimin me Kajron, “duke nxitur kështu veprimin e përbashkët arab dhe përballjen me sfidat rajonale”.
Presidenti i Egjiptit, Al-Sisi, nga ana e tij theksoi dëshirën e vendit të tij për të “përforcuar marrëveshjet kornizë dypalëshe dhe për të vazhduar të punojnë ngushtë me mbretërinë (saudite) për të adresuar sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet populli arab dhe musliman”.