“Efektivi shkeli rëndë etikën”, Policia reagon pas videos virale


Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet një punonjës policie duke prekur në mënyrë të papërshtatshme një vajzë, Policia e Shtetit e ka identifikuar dhe pezulluar nga detyra.

“Pas videos ku duket një punonjës policie që ka shkelur rëndë Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, duke cenuar imazhin e policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për të filluar menjëherë hetimin disiplinor.

Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, identifikuan punonjësin e Policisë, i cili është shtetasi M. K, punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3.

Për këtë punonjës u bë pezullimi nga detyra dhe u mor masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit”, thuhet në një reagim zyrtar të Policisë së Shtetit.