“Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë, as ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, reagimi i Haradinajt pas vizitës së Kurtit në Tetovë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, lidhur me ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizre.Pas kësaj deklaratë, Haradinaj u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që të mos i besojnë Kurtit. Për të tha se i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet në Kosovë, përfshirë edhe rrugën e Plavës.
Haradinaj ka thënë se Kurti tentoi njejtë edhe në Shqipëri, por që “nuk i besuan dhe e përzunë”.“Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Kurti ka kërkuar të premten që punimet për ndërtimin e një rruge që e lidh Prizrenin me Tetovën, të nisin sa më shpejt.Duke folur gjatë një vizite për përurimin e riemërimit të një rruge më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se rruga Prizren-Tetovë do ta ndihmonte dukshëm zhvillimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Aksi që e lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje mes dy qeverive tona, nga mbledhja e përbashkët, e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu maqedonas [Dimitar] Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejtë me punimet dhe realizimin e këtij projekti madhor”, tha Kurti.Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Kurti theksoi se pret që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut “të angazhohet për këtë projekt”, për të cilin tha se ka një studim fizibiliteti.“Në bazë të llogaritjeve, nuk është ndonjë kosto e lartë, është një kosto e përballueshme. Por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, pasi shkurtohet rruga dhe fitohet koha përfitojnë edhe qytetarët po edhe ekonomia,” nënvizoi Kurti në fshatin e malësisë së Tetovës, Vicë.
Kryeministri Kurti e vizitoi Çairin në Shkup, ku mori pjesë në përurimin e riemërimit të një rruge me emrin e veprimtarit kosovar “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit.Kurti nuk u takua me përfaqësuesit e partive politike në pushtet gjatë kësaj vizite në Maqedoninë Veriut, por u shoqërua nga liderët opozitarë, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kreu i Besës, Bilall Kasami, dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.