Edi Rama: “Mendova se Serbia do të kalonte nga ana e Rusisë, mos i kërkoni kaq shumë, kaq shpejt”


Kryeministri Edi Rama deklaroi se pas nisjes së luftës në Ukrainë, kishte menduar se mos Serbia do të rreshtohej në krahun e Rusisë. Por ai vlerësoi rolin e luajtur nga Beogradi dhe i kërkoi Perëndimit të mos ushtrojë presion më shumë se sa duhet.

“Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe. Serbia është një realitet tërësisht ndryshe. Flasim për një vend ku popullariteti i Putinit është 80% dhe një vend ku opinioni publik nuk është kaq i prirur të vrapojë drejt Brukselit. Por është një vend i cili jashtë çdo pritshmërie, edhe pritshmërisë sime sepse sinqerisht nuk e prisja, dhe as nuk e telefonova Aleksandrin, sepse kisha frikë mos më thoshte “ndjesë, por na duhet të kalojmë në anën tjetër”. Por tri herë janë harmonizuar me BE dhe Perëndimin kundër Rusisë, duke votuar edhe për përjashtimin e Rusisë nga komiteti për drejtat e njeriut”, tha Rama.
“E kuptoj kërkesën për të ecur përpara, por nuk e kuptoj çuarjen e gjërave në skaje, në raport me kërkesën për sanksione, sepse Serbia thjesht nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë, kaq shpejt, dhe çuarja deri në kufi do të japë efektin e kundërt. Dhe pastaj, ajo që do të ketë kosto është agjenda europiane e Serbisë dhe do të ketë kosto për të gjithë popullin e rajonit. Ne nuk duam konflikte, gjakderdhje e tensione në rajon, ndaj duam të ecim më përpara në drejtimin që kemi zgjedhur”. /A2cnn/