Edi Rama: Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vëlla

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e ka mik, derisa ish-presidentin Hashim Thaçi, e ka quajtur vëlla.

Në një intervistë që ka dhënë sot për Euronews Albania, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, Rama disa herë ka përsëritur se Kurtin e ka mik, por në fund të intervistës është kujdesur që ta bëjë një qartësim.

“Albin Kurtin e kam mik, Hashim Thaçin e kam vëlla, që të jemi shumë të qartë”, tha Rama.

Rama tha se Kurti është një mik që e çmon dhe respekton, por se nuk e mirëkupton për veprimet e tij si Kryeministër i Kosovës.

Ai ka thënë se beteja që ka me Kurtin s’është as personale e as politike, por konceptuale.

“Dua të ritheksoj, kjo është një betejë konceptuale. Kjo nuk është një betejë personale e as politike e imja me Albinin. Albini është një person të cilin unë e çmoj, është një mik të cilin unë e respektoj, por në këtë rast është Kryministri i Kosovës rë cilin unë nuk e mirëkuptoj dot. Ky është një ballafaqim krejt i hapur, krejt i sinqertë, krejt demokratik për një interes shumë të madh dhe ky nuk është thjeshtë interesi i Shtetit të Kosovës. Ky është interesi i kombit shqiptar”, ka thënë Rama.