Edhe të bënin vezë floriri, gjithë lekët me burra nuk do ishin bërë

Asdreni ishte i fundit, madje në prerjen më të madhe të lekut. 10000 lekë, si asnjë prerje tjetër, 100 fish me më shumë vlerë se Teuta, e vetmja në monedhën metalike që shqiptaret e nxjerrin çdo mëngjes të paguajnë kafet.

Naim Frashëri, Ismail Qemali, Pjetër Bogdani, mbreti Gent dhe Skënderbeu ishin prej kohësh në treg. Burra të mirë, të penës dhe shpatës, që i kanë “zaptuar” të gjitha prerjet e lekëve, nga 200 lekëshi, deri te 5000 mijë lekëshi.
Sigurisht ata lanë veprën dhe sot vlerësohen, por dreqi e marrtë, asnjë femër nuk paska prodhuar ky vend që të jetë një femër në paratë tona?! Edhe vezë floriri të bënin burrat, të gjitha kartëmonedhat nuk do kishin të printuara fytyrat e tyre.

Pa femrat ata e dinë që nuk kanë jetë, vijnë nga një nënë, përjetojnë emocionet e të qënurit prind prej një femre, marrin përkujdesje prej, gjejnë gjithçka gati në shtëpi dhe në fund duhet t’ua shohin surratin edhe në para.
Në fakt lekët do të ishin edhe me të bukura nëse do të kishin portrete vajzash shqiptare. Edhe shprehja “jo gjithçka blihet me para” nuk do kishte më vlerë. Me femrat në to, çdo gjë do blihej…