Edhe Spanja i bashkohet vendeve që po dëbojnë diplomatët rusë, urdhëron largimin e 25 zyrtarëve

Spanja do të dëbojë afër 25 diplomatë rusë dhe staf të Ambasadës ruse në Madrid. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares duke shtuar se po i bashkohet vendeve të Bashkimit Evropian në përgjigje të krimeve të lu*ftës të kryera nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë.

“Ne kemi vendosur të dëbojmë diplomatë dhe personel nga Ambasada ruse në Spanjë, të cilët paraqes rrezik për interesat dhe sigurinë e shtetit tonë”, tha kryediplomati spanjoll, duke shtuar se nuk përjashton masa të mëtejme ndaj Rusisë.

Sipas ministrit, dëbimi i diplomatëve u bë në përgjigje të “veprimeve të tmerrshme të kryera në ditët e fundit në Ukrainë, veçmas në Butcha dhe për veprimet e tjera që u raportuan në Mariupol”, tha ai duke iu referuar zbulimit të një varreze masive dhe civilëve të vrarë në qytetin ukrainas të Butchas.

Albares tha se Qeveria pret që Rusia të kundërpërgjigjet, duke dëbuar diplomatë spanjollë. Gjatë ditës së sotme, Italia, Danimarka dhe Suedia kanë dëbuar gjithsej 48 zyrtarë rusë nga vendet e tyre. Po ashtu, një numër i qeverive të tjera perëndimore kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.