Tani pasi parlamenti grek, me 153 vota “pro”, e ratifikoi Marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë, nga shtatë kanë ngelur pesë hapa, pak a shumë formalë, të cilët e ndajnë Maqedoninë nga anëtarësimi i plotë-fuqishëm në NATO, shkruan Meta, transmeton Portalb.
Procesi, sipas njoftimeve, duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të ardhshëm.
Hapi i parë dhe i dytë, gjegjësisht implementimi formal i Marrëveshjes së Prespës në të dy vendet përfundoi – më 11 janar në Maqedoni dhe dy javë më vonë – më 25 janar në Greqi.
Ratifikimin e marrëveshjes nga Parlamenti Grek e përshëndeti Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
“Marrëveshja e Prespës është një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Me padurim pres që Maqedonia e ardhshme Veriore të bëhet anëtare e NATO-s”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Hapi i radhës është që NATO të përgatisë Protokoll të Marrëveshjes së Uashingtonit për anëtarësimin e anëtarit të ri. Ky në fakt është një ndryshim i marrëveshjes origjinale të Aleancës së Atlantikut verior, që u nënshkrua në vitin 1949.