Edhe një te*ntim për ta hequr Edvard Kardelin nga Dibra

Edhe sot e kësaj dite, në Dibër ka rrugë me emrin “Edvard Kardel”, “JNA”, “Velko Vllahoviq”… “Nuk ka logjikë të përdorim këto emra meqë ata janë emrat të së kaluarës”, thotë kryetari i Këshillit, sipas të cilit, ndryshimi i emrave është nevojë urgjente e kohës. Viteve të 90-ta, por edhe gjatë vitit 2002 dhe 2007, janë miratuar vendime të Këshillit komunal me emra të rinj, të cilët janë propozuar nga Komisionet lokale të kuvendit, edhe atë duke respektuar Badenterin. Megjithatë, përgjigje pozitive nga pushteti qendror nuk ka patur, tregon Bashkim Mashkulli. Pas miratimit të vendimit të djeshëm, tashmë edhe zyrtarisht është iniciuar procedura për përcaktimin e emërtimeve të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera.

Këshilli i Komunës së Dibrës sërish ka nis me procedurat për riemërimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera të infrastrukturës në Dibër. Me këtë rast, Këshilli unanimisht solli vendim që përsëri të iniciojë ndryshimet e emrave. Pa marrë parasysh se nga cilët parti politike vijnë, këshilltarët njëzëri i dhanë dritë jeshile vendimit me të cilin – edhe një herë Dibra do të kërkojë nga institucionet kompetente të vendit të miratojnë listën me emrat e ri, gjegjësisht emërtimet e vjetra komuniste të rrugëve, të shlyhen pas më shumë se tre dekadave.

Kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli, thotë se Dibra për herë të katërt është duke kërkuar ndryshimin e emrave të rrugëve nga koha komuniste jugosllave. “Për fat të keq, deri tani – edhe pse janë përgatitur lista dhe janë sjell vendime nga ana e Këshillave të Komunës Dibër, e të cilët janë dërguar tek institucionet qendrore, ndryshime të emrave të rrugëve deri sot nuk ka patur”, tregon Mashkulli dhe shton se ndoshta tani – klima politike është më e mirë dhe kërkesa për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera të infrastrukturës në Dibër, do të miratohet edhe nga pushteti qendror.

Në debatin në lidhje me këtë çështje, këshilltarët theksuan se pa marrë parasysh se Këshilli posedon listën e emrave të rinj, përsëri do të shqyrtohet kjo listë edhe atë nga tre Komisionet aktuale të Këshillit të komunës, nga Komisioni me pjesëmarrës nga të gjitha partitë politike, pjesëmarrës në Këshill dhe në fund – listën definitive do ta shqyrtojë Këshilli i Komunës. “Mendojmë se ka një klimë pozitive në nivel qendror që këtë herë, të përkrahet lista e emrave dhe dibranët të gëzojnë të drejtën e tyre demokratike të përdorin emra që i takojnë jetës së sotme dhe jo emërtime komuniste”, tha kryetari i Këshillit komunal në Dibër.

Të theksojmë se mes emërtimeve të rrugëve në listën e fundit që Dibra e dorëzoi tek pushteti qëndror, kanë qenë edhe emrat Azmi Dibra, Sulejman Pitarka, SHA “Amerika”, Jashar Erebara, Iljaz Pash Dibra, Haki Stërmilli, Ali Zegovski, Tërpe Broshtiçki… Në emërtimet e urave vërehen emrat “Urra e Madhe” dhe “Urra e Dibrës”, ndërsa në emrat e lagjeve janë “Uraniku”, “Tylbe”, “Penestia” dhe lagja “Përroi”, kurse mes emrave që përmenden për emërtimin e shesheve janë “Sheshi Skënderbeg”, “Sheshi i Rilindësve”, si dhe “Sheshi i Ilirisë”.