Pas Dimitar Kovaçevskit dhe Frosina Remenskit garës për lider të LSDM pritet ti hyjë edhe Jovan Despotovski, drejtori aktual i Drejtorisë Zonat zhvillimore teknologjiko-industriale (TIRZ).
Despotovski ka theksuar se pritet që të vendos se a do ti hyjë garës për kreun e partisë së tij pas dorëheqjes së Zoran Zaevit.“Po e mendoj seriozisht kandidimin. Unë jam anëtar i partisë prej 25 vitesh dhe kam kaluar nivele të ndryshme nga strukturat fillestare më të ulëta deri te strukturat më të larta drejtuese të partisë. Mendoj se kam rezultate reale në angazhimin tim profesional ndaj mendoj se mund të ofroj një koncept të ri rreth të cilit do të bashkohet jo vetëm partia por edhe shoqëria. Vendimi nuk është i lehtë. Sfida është e madhe, koha është mjaft e ndërlikuar dhe përgjegjësia është e madhe” theksoi Despotovski.
Ai paralajmëroi se nesër do ta shpall vendimin.I pyetur për të komentuar për kandidaturën e Frosina Remenskit dhe Dimitar Kovaçevskit për kryetar të LSDM-së, Despotovski tha se nuk do të komentojë për njerëzit, por tha se duhet të diskutohet se për çfarë njeriu ka nevojë partia dhe si t’i ndihmojë njerëzit.
Lideri i LSDM pritet të zgjedhet në kongresin partiak të caktuar më 12 dhjetor.