Edhe një barrierë tjetër për gratë në politikë: Sulmet

Megjithëse shteti i Kosovës krenohet për përfaqësimin e drejtë, krenaria bie përtokë shumë shpejt kur vjen fjala për përfaqësimin e grave në politikë.

Kosova ka përfaqësim në Kuvend të komuniteteve joshumicë në proporcion me përqindjen e tyre në popullsinë e përgjithshme, por ky trend ndryshon te përfaqësimi i grave. Komunitetet joshumicë përbëjnë më pak se rreth 10 për qind të popullsisë së Kosovës, por kanë 20 vende të garantuara në Kuvend. Ata kanë gjithashtu kuotë etnike edhe në qeveri dhe institucione tjera të Kosovës, gjë që nuk ndodhë me gratë që përbëjnë gjysmën e popullsisë. Duke munguar kuota gjinore në qeveri, ministret gra në të gjitha qeveritë e pasluftës mund t’i numërosh në gishta të dorës.

Ndonëse kemi kuotën gjinore që ndihmon përfaqësimin në Parlament dhe në listat e partive, kjo përsëri nuk mjafton për t’i mbajtur gratë në politikë, por duhet punë më shumë.

Gratë në politikën kosovare hasin në barriera të shumta dhe të fuqishme, siç është pengesa për të kandiduar dhe për të qëndruar në politikë. Këto pengesa përfshijnë obligimet familjare (kujdesi ndaj fëmijëve dhe kujdesi ndaj familjes), mungesa e mbështetjes financiare, si barrierat shoqërore që pengojnë arsimin dhe punësimin e vajzave dhe grave.

Duke mos mjaftuar kjo, kohën e fundit janë rritur sulmet ndaj grave që janë aktive në politikë. Kjo ka krijuar pengesa shtesë ndaj tyre dhe i ka demotivuar vajzat e tjera të reja që dëshirojnë të merren me politikë.