Edhe Meta i del në mbrojtje Thaçit e Veselit, thotë se votimi i Speciales ishte akt i sforcuar

Presidenti Ilir Meta komentoi dhe aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli nga Specialja.

Meta tha se ka komunikuar me Thaçin dhe Veselin dhe u shpreh se ata kanë të gjithë qetësinë për të përballuar me dinjitet këtë sfidë.

“Nuk është momenti të merremi me drejtësinë ndërkombëtare , miratimi i kësaj gjykate ka qenë një akt i sforcuar dhe e dimë këtë nga të gjithë faktorët që ai është shtyrë , ku në radhë të parë është vetë pala që shkaktoi gjenocodin dhe s’pranon realitetin e ri, si shteti i ri i Kosovës. Drejtuesit e UCK i kanë fituar betejat me drejtësinë ndërkombëtare dhe e dimë shumë mirë kush është pala që është dënuar më shumë dhe kush nuk është dënuar”, tha ai.

Tutje, presidenti Meta tha se është koha për unitet në Shqipëri dhe në Kosovë dhe se është i bindur se Thaçi e Veseli kanë qetësinë për ta përballuar këtë sfidë.

“Është momenti për unitet urtësi në Shqipëri dhe Kosovë, mos të ushqejmë mos besim ndaj aleatëve tanë. Kam patur komunikim dhe me Thacin dhe Veselin, jam i bindur që kanë të gjithë qetësin për të përballuar me dinjitet këtë sfidë”, tha Meta.