Edhe me korona, edhe me “kancer” nga guroret, llabunishtasit në hall me gërryerësit e lëndëve minerale

As në kohë pandemie, llabunishtasit nuk gjejnë qetësi nga guroret që punojnë rreth këtij fshati të Strugës.

“Deri në fund të marsit kishim vetëm një gurore aktive me të cilin luftonim por me fillimin e gjendjes së krizës me koronavirusin dhe ndalesës për mbledhjen dhe lëvizjen e qytetarëve u kthye edhe një prej guroreve më të mëdha”, tha Nedim Mehmedoski, këshilli inicues kundër guroreve.

Nga 5 gurore gjithsej tani punojnë 3, ndërsa 2 janë ndërprerë na tregoi Mehmedoski.

Pse u kthyen?

Mehmedoski: Po me shumë gjasa të nxitur edhe nga deklarata e Ministrit Bekteshi që u mundësoi koncesionerëve të lëndëve minerle të punojnë pa ndërprerë edhe në gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën gjendemi tani”.

Më 17 prill Ministria e Ekonomisë i propozoi qeverisë dekret me fuqi ligjore për zbatimin e ligjit për lëndët e para minerale, e kjo siç pati sqaruar ministri Kreshnik Bekteshi, me qëllim vazhdimin e pa pengesë të punës që koncesionerët të mos kenë komplikime në punën e tyre gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

“Me këtë rregullore afatet për procedurat e koncesioneve pushojnë të zgjasin gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe vazhdojnë pas skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme por vetëm për aq ditë sa kanë mbetur nga dita e skadimit të kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Memedovski na tregoi se që nga shpërbërja e Kuvendit s’kanë pasur asnjë kontakt me zyrtarët të cilët kaq shumë herë u kanë premtuar se do të ndërpritet puna e guroreve.

Një premtim të tillë vitin e kaluar ua pati bërë edhe vetë Ministri i Ekonomisë.

“Për kohë të shkurtër edhe koncesionet e tjera do të merren nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha aso kohe Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

U përpoqëm që sot ta kontaktojmë ministrin Bekteshi për hallin e llabunishtasve por përgjigje nuk morëm.

Kujtojmë se para shpërbërjes së Kuvendit pat pasur përpjekje për miratimin e ligjit të ri për lëndët minerale përmes së cilit mund të bëhej ndërprerje e njëanshme e koncesionit, por nuk arriti të votohet deri në ditën e shpërbërjes e parlamentit.

Mjekë dhe ekspertë të fushës disa herë deri më tani kanë pohuar se pluhuri që ngritet nga gërryerjet është i dëmshëm për shëndetin, ndërsa llabunishtasit krahas kësaj duhet të durojnë edhe shpërthimet që bëhen për të nxjerrë lëndët minerale.