Edhe me buxhetin e vitit 2019, komunat shqiptare do të kenë zero denarë bllok dotacione kulturore


Edhe me buxhetin e shtetëror të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019, komunat shqiptare do të kenë zero denarë bllok dotacione në sferën e kulturës. Në pyetjen e Portalb.mk, se: “A kanë parashtruar deri tash komunat shqiptare kërkesë për decentralizim të institucioneve kulturore, me të cilat do të fitoheshin bllok dotacione?”, ministri i Kulturës, Asaf Ademi tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Jo, asnjë komunë nuk ka parashtruar kërkesë për decentralizim të institucioneve kultutore që gjenden në hapësirat e tyre. Sa jam unë ministër nuk ka ndonjë kërkesë”, tha Ademi.
Problemi me bllok dotacionet kulturore u akualizua kur në buxhetin 2018, ku përjashtuar Komunën e Kërçovës dhe Vrapçishtit, të gjitha komunat tjera shqiptare kishin 0 denarë në bllok dotacione në sferën kulturore, të cilat erdhën si rezultat i asaj se komunat nuk menaxhojnë me institucione kulturore, por ata i mbeten Ministrisë së Kulturës.

Që komuna të menaxhojë me institucione kulturore ajo do të arrihej nëse të njëjtat bëjnë kërkesë në Ministrinë e Kulturës.

Sipas buxhetit 2018, Komuna e Kërçovës nga buxheti shtetëror, nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës ka siguruar 1,42 milionë denarë ndërkohë që Komuna e Vrapçishtit ka siguruar 1,54 milionë denarë. Se pse Komuna e Vrapçishtit arriti të sigurojë 1,54 milionë denarë kur e dijmë se ka rreth 25 mijë banorë ndërkohë që Komuna e Çairit me rreth 67 mijë banorë nuk arrin të sigurojë as edhe një denarë nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës, qëndron arsyeja se Komuna e Vrapçishtit dhe Kërçovës kanë nën menaxhim Pallatet e Kulturës.

Përndryshe, decentralizimi i kompetencave të komunave dhe përmirësimi i kapacitetit të tyre është njëri nga prioritet të cilat dalin nga praneriteti i Maqedonisë me Bashkimin Evropian dhe parashihet me realizimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Të gjitha komunat në përjashtim të Komunës së Pllasnicës, që nga viti 2012, për përgjegjësitë të tyre financohen me bllok dotacione me çka mbaroi faza e marrjes së përgjegjësisë për menaxhim me resurset financiare dhe materiale në sferën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes sociale. Marrja e përgjegjësi për më shumë sfera nga ana a komunave rrisin kapacitetin administrativ dhe fiskal për menaxhim me shuma më të larta të mjeteve financiare.

Me buxhetin 2018 të Maqedonisë u parapanë 893 milionë denarë për dotacione, nga ku 140 milionë denarë janë në formën e dotacioneve TVSH, ndërsa 753 milionë denarë për bllok dotacione në sferën e arsimit, kulturës dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe personave të moshuar. Kjo mundëson financim më të sigurt të decentralizimit të veprimtarive dhe realizim të tyre.

Më poshtë mund të shihni edhe inforgramin se secila komunë sa denarë ka marrë nëpërmjet bllok dotacioneve për vitin 2018.