Krahas pacientes tek e cila dje është konfirmuar koronavirusi, në Klinikën infektive dje janë testuar edhe dy persona, te njëri rezultati është negativ, ndërsa te i dyti pjesërisht pozitiv dhe zhvillohen testime shtesë, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Njëri është shofer i kamionit i cili ka udhëtuar përmes Italisë Veriore me simptoma të gripit dhe testi është negativ, ndërsa i dyti rast është grua e cila me bashkëshortin ka qenë në udhëtim në Romë. Testi ndaj saj është vetëm pjesërisht pozitiv që mund të jetë reagim i kryqëzuar nga viruse tjera. Prandaj bëhen testime plotësuese që të shmangen dyshimet. Rezultatet do të jenë gati për dy orë”, ka thënë Filipçe në deklaratën e mediave në Forumin e dytë kombëtar të shëndetit.
Ai ka thënë se pacientja me koronavirus të konfirmuar është në gjendje të mirë dhe se në ndërkohë janë kontaktuar dhe vendosur në izolim shtëpiak edhe personat të cilët kanë qenë në kontakt me të dhe udhëtarë tjerë në furgonin në të cilin kanë udhëtuar.
Siç ka njoftuar Filipçe, sot në ora 13 do të ketë takim Komiteti për koordinim të aktiviteteve bashkë me pjesëtarë të MPB-së ku do të konfirmohet nëse do të vazhdohet izolimi shtëpiak për personat ose do të zhvendosen në qendra të izolimit.